Na ndajnë nëntë dekada nga botimi i vëllimit të parë me novela të Ernest Koliqit. Për më shumë se katër dekada veprës së tij i mungoi lexuesi, pse si ajo, si vetë autori vuajtën një “damnatio memoriae” prej regjimit komunist, vetëm mbas vitit 1990 Koliqi, së bashku me nji plejadë autorësh të tjerë u rikthye në atdhe. Tek novelat e botuara në këtë edicion anastatik, lexuesi gjen gjenealogjinë e peizazheve të jetës urbane shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX: teknika, shkolla, marrëdhëniet e reja në prodhim, universitarët që vinin nga jashtë shtetit, çtendosja politike e viteve ‘30, emancipimi i përgjithshëm shoqëror.