Kategoritë

Titulli
Nata
Përshkrimi
"Nata" e Bilge Karasusë është një alegori e tmerrshme e shtetit totalitar, e cila dhe njëherë na ilustron pjerrjen e veçantë të letërsisë turke për fabulën politike. "Nata" u shkrua në vitet 1975-1980, kohë kur Turqia qe ndarë mes diktaturës ushtarake dhe revolucionit të rrugës, dhe kur shumë intelektualë turq u syrgjynosën burgjeve si rrjedhojë e dhunës dhe terrorit politik. Në tregimin e Karasusë, një shkrimtar i paidentifikuar e gjen veten nën hetim nga një ish-shok shkolle, i cili tani është bërë pjesë e Lëvizjes Diell (thirrje për teoritë gjuhësore, ultranacionaliste të turqishtes si “gjuhë diell”). Shkrimtarin e vëzhgojnë këmba-kënbës dy agjentë, një burrë dhe një grua; me zhvillimin e ngjarjeve personazhet copëtohen dhe shkrihen në një unitet të dalë nga ndonjë makth. Autori pyet “A shpëtohet dot nga çmendja duke i shkruar gjithë këto?” Struktura e “Natës” – me shënime fragmentare nga defterë të ndryshëm, të shoqëruar me fusnota që komentojnë tekstet e mëparshme -- dhe përdorimi i autorëve të shumtë, anonimë dhe jo të besueshëm, kombinohen për të intensifikuar atmosferën e kaosit, duke minuar në sy të lexuesit autoritetin e rolit të shkrimtarit. Dy linjat, ajo narrative dhe reflektimi mbi shkrimin e librit, gërshetohen për t’u ndarë më pas, secila në trajektoren e saj të vetëshkatërrimit.
.jpg)
Titulli
Te teatri
Përshkrimi
Ky udhëpërshkrim i takon Teatrit Kombëtar, historisë së të bërit teatër në Shqipërinë postkomuniste, në tranzicion dhe pastranzicion, sepse Teatri Kombëtar ka qenë dhe është e vetmja skenë teatri në Tiranë, po edhe në Shqipëri, me histori të pandërprerë, gati 80-vjeçare.

Titulli
Supa Miso
Përshkrimi

Titulli
Një varrim për çdo regjim
Përshkrimi
Trupat e vdekur nuk kanë mundësi të flasin, megjithatë kumti që bartin vjen përmes të gjallëve. Regjimet themelohen pazgjidhshmërisht prej trupave dhe soliditeti i tyre vjen paradoksalisht përmes përkujdesjes, kërkimit dhe rizbulimit të eshtrave. Nuk ka regjim të vendosur në Shqipëri, që të mos jetë ngritur e themeluar mbi to, apo që të mos u jetë mbivendosur eshtrave, duke i rikonfiguruar në mënyrë të vazhdueshme. Ato mbeten një gur themeli i pakontestueshëm. Rëndësia e Varrezave të Dëshmorëve për regjimin komunist ishte po aq e madhe sa politika të tjera zyrtare, si industrializmi apo emancipimi. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për materializimin monumental e përkujtimor të dëshmorëve, si themel që justifikonte gjenezën e regjimit, por shfaqet qartazi dhe përpjekja për të njësuar dëshmorët, për të njësuar gjithçka që konsiderohej përpjekje ultrashekullore e shqiptarëve për liri.

Titulli
Lule të këputura
Përshkrimi
Lulet e këtij vëllimi poetik janë këputur nga lëndina “Lulet e së Keqes” të Charles Baudelaire. Janë këputur shqip, në këtë 165-vjetor të nisjes së Poetit, si një mbamendje për të. Botimi i parë i "Luleve të së keqes" (qershor 1857) iu nënshtrua gjyqit për fyerje të moralit publik: gjashtë poezi u dënuan dhe u përjashtuan nga teksti. Pasuan dy botime të tjera, njëri në 1861, e tjetri, pas vdekjes, në 1868. E në fakt ballina e librit, e paraqitur në këtë botim të sotëm, është homazh i botimit të parë të censuruar. Ky libër, emblemë e poezisë moderne, prek zemrën e epokës sonë me aromën e tij të paprekur. I ëmbël dhe mizor, në vargjet e tij ai mirëpret dhe zhurmën e metropolit, joshjen e bukurisë dhe mjerimin e rënies.
Titulli
Tipografia shqiptare
Përshkrimi
Ky studim trajton historinë e veprimtarisë tipografike, shtypshkruese dhe grafike ndër shqiptarë, nga viti 1555, kur njohim shtypjen e parë në shqip e deri në vitin 1912 — me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Periudha pas vitit 1886 ka një dendësi të theksuar të aktivitetit shtypshkrues dhe të realizimit grafik në përgjithësi. Përmbledhja u kushtohet në rradhë të parë studiuesve të dizajnit grafik dhe tipografëve, por gjithsesi edhe bibliografëve, arkivistëve, historianëve e albanologëve. Sa i përket të dhënave arkivore, autori ka hulumtuar veçanërisht nëpër materialet e Arkivit Qëndror të Shtetit në Tiranë, dosjet Partheni, Lef Nosi, Theodhor Haxhifilipi, Simon Kazanxhiu, Kostantin Kristoforidhi, Kristo Luarasi dhe Gjergj Pekmezi. Për Dhori Kotin kemi ndjekur dosjen Sabri Qyteza dhe atë të Inspektoratit të Arsimit në Korçë. Në Vjenë janë marrë për bazë faqet me alfabetin e Todhrit të mbledhura nga Hahn e të depozituara në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës nga Leopold Geitler. Nga e njejta adresë vjen dhe mostra tipografike e Auerit e vitit 1847. Në Bibliotekën Kombëtare në Paris, është marrë në shqyrtim Supplément grec 251, me shënimet në shqip të depozituara aty nga Pouqueville në vitin 1819. Për një pjesë të shënimeve origjinale arkivore mbi shtypshkronjën e Propaganda Fides në Romë, janë ndjekur disa materiale të botuara nga Michele Amari në vitin 1878.

Titulli
Dekalogu i një lagjeje tiranase
Përshkrimi
Libri vjen si një lexim i bukur e i thukët “nën hardhi”, i cili nëpërmjet rrëfimit të jetëve njerëzore përgjatë shtatë dekadave, krijon një panoramë të historisë dhe etnokulturës së Tiranës. Dekalogu vjen gjithashtu si një homazh ndaj arkitekturës lokale dhe "pa autor", asaj arkitekture e cila formësoi dhe u formësua nga 'modus vivendi’ i tiranasve. Në përfundim të tij, urojmë t’ju kemi lënë me një sërë pyetjesh të rëndësishme.

Titulli
Tingujt shungullues të shpirtit
Përshkrimi

Titulli
Gegërishtja verilindore
Përshkrimi
“Gegërishtja Verilindore”, është një botim postum i autorit Xheladin Gosturani, që vjen si studim i shumëpritur i një varieteti tejet të rëndësishëm por ende pak të shestuar të gjuhës shqipe. Në një kohë kur lëvizjet e mëdha demografike të këtyre tri dekadave të fundit thuajse e patën shuar shpresën se ky varietet do të dokumentohej me të njëjtin përkushtim shkencor siç qe dokumentuar varieteti i gegerishtes veriperëndimore (pa folur për qarkun letrar të kesaj koineje), shfaqet ky studim sirtari i ruajtur falë kujdesit të trashëgimtarëve të Gosturanit. Pas një detajimi të përimtë të shpërndarjes gjeografike të gegërishtes verilindore brenda dhe jashtë kufijve aktualë të Republikës së Shqipërisë, autori zbërthen tiparet e qenësishme dhe dalluese fonetike, morfologjike e leksikore të saj.
Titulli
Ernest Koliqi
Përshkrimi
Na ndajnë nëntë dekada nga botimi i vëllimit të parë me novela të Ernest Koliqit. Për më shumë se katër dekada veprës së tij i mungoi lexuesi, pse si ajo, si vetë autori vuajtën një “damnatio memoriae” prej regjimit komunist, vetëm mbas vitit 1990 Koliqi, së bashku me nji plejadë autorësh të tjerë u rikthye në atdhe. Tek novelat e botuara në këtë edicion anastatik, lexuesi gjen gjenealogjinë e peizazheve të jetës urbane shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX: teknika, shkolla, marrëdhëniet e reja në prodhim, universitarët që vinin nga jashtë shtetit, çtendosja politike e viteve ‘30, emancipimi i përgjithshëm shoqëror.
Titulli
Lashtësi shqiptare
Përshkrimi
Prej këtij teksti kuptojmë dhe si e projekton të shkuarën një intelektual dhe politikan fort i debatuar, me dritëhije në figurën e tij, të cilat krijohen pikërisht edhe për shkak të mosnjohjes plotësisht të portretit të tij ideologjik. Në një kohë kur tekstet historike lind nevoja të rishikohen dhe plotësohen in perpetuum, ky është një tekst i historisë së Shqipërisë përgatitur nga Mustafa Merlika-Kruja, por në të njëjtën kohë është edhe histori e vetë autorit të tij.

Titulli
Fortifikimet e Antikitetit të vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri
Përshkrimi
Punimi që përmbledh fortifikimet e antikitetit të vonë dhe të mesjetës, është rezultat i një pune dhjetëravjeçare të Prof. Dr. Gjerak Karaiskajt, gjatë veprimtarisë së tij restauruese dhe shkencore në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Nëpërmjet krahasimeve të shumta dhe shfrytëzimit të burimeve historike përcaktohet vendi që zënë fortifikimet në Shqipëri në kuadrin e perandorive të mëdha, si dhe marrëdhëniet e ndikimet reciproke në rrethana dhe faza të caktuara historike. Studimi i detajuar i fortifikimeve në territorin e Shqipërisë lindi dhe si një nevojë e domosdoshme në shërbim të hartimit të projekteve të restaurimit, mbrojtjes dhe ruajtjes së substancës historike të tyre, për sot dhe për brezat që do të vijnë. Për këtë autorit i është dashur të studiojë në veçanti çdo element ndërtimor të tyre, duke filluar nga teknika e ndërtimit, kullat, portat, frëngjitë, erkerët etj.
Kontakt
Na ndiq
Për të parë të rejat e fundit, mund të na ndiqni në rrjetet sociale