Botimi i dytë i librit “KISHAT PASBIZANTINE NË SHQIPËRI”, nga Pirro Thomo, vjen 30 vjet nga përgatitja e botimit të tij të parë, si rrjedhojë dekadash të tjera në gjurmimin, dokumentimin, studimin dhe restaurimin e kishave pasbizantine në Shqipëri. Përpjekja për një vështrim më të plotë solli dhe rritjen e numrit të monumenteve të studiuara, nga 88 të botimit të parë, në 111 monumente në këtë ribotim.
Numri i madh i kishave të ritit ortodoks të periudhës pasbizantine që ruhen në Shqipëri, variacioni i madh tipologjiko-arkitektonik që ato paraqesin në krahina dhe kohë të ndryshme, si dhe vlerat e larta artistike që ato përmbajnë mbeten përherë objekt i rëndësishëm studimi dhe hulumtimi për gjenerata të tëra studiuesish.