Punimi që përmbledh fortifikimet e antikitetit të vonë dhe të mesjetës, është rezultat i një pune dhjetëravjeçare të Prof. Dr. Gjerak Karaiskajt, gjatë veprimtarisë së tij restauruese dhe shkencore në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Nëpërmjet krahasimeve të shumta dhe shfrytëzimit të burimeve historike përcaktohet vendi që zënë fortifikimet në Shqipëri në kuadrin e perandorive të mëdha, si dhe marrëdhëniet e ndikimet reciproke në rrethana dhe faza të caktuara historike. Studimi i detajuar i fortifikimeve në territorin e Shqipërisë lindi dhe si një nevojë e domosdoshme në shërbim të hartimit të projekteve të restaurimit, mbrojtjes dhe ruajtjes së substancës historike të tyre, për sot dhe për brezat që do të vijnë. Për këtë autorit i është dashur të studiojë në veçanti çdo element ndërtimor të tyre, duke filluar nga teknika e ndërtimit, kullat, portat, frëngjitë, erkerët etj.