“Gegërishtja Verilindore”, është një botim postum i autorit Xheladin Gosturani, që vjen si studim i shumëpritur i një varieteti tejet të rëndësishëm por ende pak të shestuar të gjuhës shqipe. Në një kohë kur lëvizjet e mëdha demografike të këtyre tri dekadave të fundit thuajse e patën shuar shpresën se ky varietet do të dokumentohej me të njëjtin përkushtim shkencor siç qe dokumentuar varieteti i gegerishtes veriperëndimore (pa folur për qarkun letrar të kesaj koineje), shfaqet ky studim sirtari i ruajtur falë kujdesit të trashëgimtarëve të Gosturanit. Pas një detajimi të përimtë të shpërndarjes gjeografike të gegërishtes verilindore brenda dhe jashtë kufijve aktualë të Republikës së Shqipërisë, autori zbërthen tiparet e qenësishme dhe dalluese fonetike, morfologjike e leksikore të saj.