Jemi mësuar me shqiptarë që ndër shekuj kanë gjetur strehë në vende të huaja, por dimë fare pak për të huajt që janë strehuar te ne. Njëri prej tyre është Gennaro Simini, revolucionar, patriot italian dhe mjek i përkushtuar, i cili erdhi në Shkodrën e shekullit XIX, pas lëvizjeve të vitit 1848, për t’i shpëtuar burgjeve burbone dhe jetoi në qytetin shqiptar deri sa dha frymën e fundit. Simini ushtroi profesionin e mjekut duke ngjallur respekt e dashuri në popull të krishterë e myslimanë, dhe në pak kohë u bë i njohur si mjeku i qytetit. Ky libër bazohet në shkrimin e të birit, Giacinto Simini, në kujtimet e shumë protagonistëve të Rizorxhimentit nga jugu i Italisë dhe në dokumentet arkivore të Ministrisë së Punëve të Jashtme.