Korça me arkitekturën e saj është një shembull i veçantë ndër qytetet tona historike, rezultat i një realiteti të ri të krijuar në kapërcyellin e shekullit të XIX-të. Monografia shtjellohet rrjedhshëm dhe me një gjuhë të kuptueshme edhe për lexuesin jo specialist, në shtatë kapituj. Në to trajtohet me saktësi e kompetencë shkencore arkitektura dhe urbanistika e qytetit në të gjitha aspektet duke filluar nga paraqitja e pozitës gjeografike e klimatike, në historinë e pellgut të Korçës dhe vetë historikun e qytetit dhe jetën e tij ekonomike e shoqërore gjatë shekujve. Me ndryshimet dhe shkujdesjen ndaj trashëgimisë, monografia merr një vlerë të veçantë dokumentare dhe shkencore për historinë e qytetit ne veçanti si dhe për atë të arkitekturës shqiptare.